Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka nisur punën për zbatimin e porosive të kryeministrit Edi Rama, që synojnë reformimin e komisioneve parlamentare. Peleshi, me agjendë në dorë, ka ftuar në takim krerët e grupeve parlamentare, përfshirë edhe ata të opozitës si Gazment Bardhi, Tedi Blushi dhe Fatmir Mediu.
Kjo ftesë, megjithatë, tingëllon më shumë si një veprim protokollar, pasi Partia Socialiste ka sinjalizuar se do të përdorë fuqinë e 84 votave për të miratuar ndryshimet, pavarësisht kundërshtimit të opozitës.
Sipas agjendës së parashikuar, të martën pritet të mbahet seanca e radhës parlamentare për të miratuar strukturën e re të Kuvendit. Ndërsa e enjtja dhe e premtja janë ditë të dedikuara për miratimin e kabinetit qeveritar “Rama 4” dhe debatin mbi programin analitik. Kjo do të thotë se brenda kësaj jave pritet të përfundojë procedura e konstituimit të qeverisë.
Pas kësaj faze, qeveria do të kalojë në agjendën politike, ku, sipas zotimeve të vetë Ramës, një nga veprimet e para pritet të jetë shkarkimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
