Opinion publik në Greqi është tronditur nga rrëfimi i Irene Mourtzoukou, një 25-vjeçare e cila ka pranuar se ka vrarë katër foshnja, duke përfshirë edhe fëmijët e saj biologjikë. Kjo vjen pas muajsh të tërë mohimesh para kamerave televizive, ku ajo ishte shfaqur shpesh me lot në sy, duke kërkuar besim në pafajësinë e saj.
Rrëfimi i saj para policisë, i dhënë në korrik të këtij viti, zbuloi një histori të errët. Mourtzoukou pranoi se në vitin 2014, në moshën 14-vjeçare, ajo kishte mbytur motrën e saj 18-muajshe, një akt që fillimisht u regjistrua si “komplikime të frymëmarrjes”. Ajo rrëfeu se e kishte bërë këtë si hakmarrje ndaj nënës së saj pas një konflikti.
Varg i vdekjeve të mistershme
Historia u bë edhe më e zymtë kur ajo pranoi vrasjen e tre fëmijëve të saj:
- Djalit të saj gjashtëmujor në vitin 2021.
- Dy vajzave të porsalindura, njëra 19 ditëshe dhe tjetra pak më pak se dy muajshe, midis viteve 2022 dhe 2023.
Të gjitha këto vdekje u regjistruan fillimisht si natyrale, me diagnoza si pneumoni dhe krizë epileptike. Megjithatë, autopsitë e mëvonshme zbuluan shenja të qarta asfiksie.
Një hetim i nisur në vitin 2023 pas vdekjes së djalit të partneres së saj të atëhershme çoi në arrestimin e Mourtzoukou. Raporti i mjekëve ligjorë theksoi se vdekja e këtij fëmije ishte pasojë e mungesës së oksigjenit (hipoksi), duke lënë të kuptohet se ishte një akt kriminal.
Profilet psikologjike dhe historitë e fshehura
Përveç këtyre, Mourtzoukou po hetohet edhe për një incident të vitit 2016 ku një foshnjë që ajo po e kujdeste u gjet pa ndjenja, por fatmirësisht mbijetoi. Nëna e Mourtzoukou kishte shprehur dyshime për sjelljen e saj që në fëmijëri, duke e përshkruar si të dhunshme dhe me sjellje delikuente, dhe duke përmendur diagnozën e mundshme të “personalitetit të dyfishtë”.
Mourtzoukou ka pretenduar se vetë ishte viktimë e abuzimeve dhe se ishte detyruar të prostituonte. Ajo ka lidhur këto krime me marrëdhënien e trazuar me nënën e saj. “Sa herë që debatoja me nënën time, doja t’i bëja keq,” ka deklaruar ajo para autoriteteve, duke sugjeruar se sjellja e saj ishte një reagim ndaj dhunës psikologjike.