Në një lokal në hyrje të Lushnjës, gjashtë muaj më parë, u reklamua hapur pasurimi i shpejtë përmes dy posterave që promovonin platformën mashtruese XUEX. Ky ishte pikënisja e hetimit që çoi në goditjen e një skeme piramidale, ku qindra qytetarë ranë pre e mashtrimit.
Dosja hetimore, e siguruar nga Top Channel, tregon se policia u infiltrua si agjent, duke u paraqitur si klient dhe investitor i interesuar. Fillimisht, informacionet i dhanë kamerierët e lokalit – Emanuel Taullau dhe Flavio Mukaj – të cilët u arrestuan, ndërsa më pas në pranga përfundoi edhe pronari i lokalit, Arbër Çela.
Kamerieri Taullau i shpjegoi agjentit se për t’u bërë pjesë e skemës duhej të investonte të paktën 1 mijë euro.
Në dosje përmendet si organizator Ereledio Shebeku, i shpallur në kërkim, i identifikuar si personi kyç që kontrollonte skemën. Në bisedat me agjentin, ai shprehu frikën për vijimin e aktivitetit pas denoncimit publik të bërë nga deputeti Erion Braçe.
Hetimet zbuluan se komunikimet bëheshin përmes aplikacionit Telegram. Çdo investitor, pasi kalonte paratë, futej në një grup ku udhëzohej nga një person i quajtur “Leo Smith”, i njohur si “profesori”.
Ky i kërkonte anëtarëve të lidhnin orarët e ditës (14:20 dhe 19:20) për të bërë “like” faqeve që dërgonte ai, duke premtuar një fitim 1% në ditë dhe mundësinë e tërheqjes së parave pas 45 ditësh.
Në këtë skemë rezulton e përfshirë edhe një punonjëse e Bashkisë Divjakë, së bashku me familjarë të saj.
Hetuesit theksojnë se aplikacioni XUEX nuk gjendej në App ose Play Store, por instalohej vetëm përmes një linku të dërguar. Pasi paratë transferoheshin në llogari të skemës, përdoruesit bëheshin pjesë e mashtrimit.