Ngjarja tragjike që tronditi mbrëmjen e djeshme fshatin Balaj të Ferizajt ka marrë një dimension të ri me publikimin e detajeve të fundit nga hetimet. Viktima, Brahim Ramusa 40-vjeç, dyshohet se u qëllua për vdekje nga djali i xhaxhait të tij, Bekim Ramusa.
Sipas burimeve të Policisë së Kosovës, ngjarja ndodhi pas një mosmarrëveshjeje të vazhdueshme mes dy kushërinjve. Thuhet se pas një sherri, i dyshuari Bekim Ramusa nxori pistoletën dhe qëlloi katër herë në drejtim të viktimës, duke e lënë të vdekur në vend.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, konfirmoi se i dyshuari u arrestua dhe se arma e krimit u gjet në oborrin e shtëpisë së tij. Gjatë kontrollit, u zbuluan edhe një pushkë gjahu dhe një pushkë ajrore. Policia njoftoi se i dyshuari e ka thirrur vetë policinë pas vrasjes, duke u dorëzuar menjëherë.
Motivi i saktë i vrasjes ende po hetohet, por dyshohet se është pasojë e konflikteve të hershme mes dy kushërinjve. Viktima, Brahim Ramusa, ka lënë pas katër fëmijë, ndërsa kjo tragjedi ka shkaktuar një valë të madhe trishtimi në komunitetin lokal.

