Tirana do të presë një aktivitet të rëndësishëm sportiv këtë fundjavë, ku do të zhvillohet gara ndërkombëtare e triatlonit. Për shkak të këtij aktiviteti, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka njoftuar kufizime të qarkullimit në disa rrugë kryesore.
Gara, që përfshin notin, çiklizmin dhe vrapin, do të mbahet pranë Liqenit të Farkës të dielën, më 21 shtator. Qindra sportistë, profesionistë dhe amatorë, pritet të marrin pjesë.
Rrugët e bllokuara dhe ndryshimet në transportin urban
Nga ora 08:00 deri në 13:00, disa segmente rrugore do të jenë të mbyllura për qarkullimin e automjeteve:
- Rrugët pranë Liqenit të Farkës, përfshirë “Rruga e Tuneleve”, “Rruga Daxhit”, “Diga e Liqenit” dhe “Panorama e Liqenit”.
- Akse kryesore në qytet, si bulevardi “Zhan D’Ark”, “Gjergj Fishta” dhe “Bajram Curri” (segmenti nga Ura e Shkozës deri te pallati me shigjeta).
Përveç bllokimit të rrugëve, do të ketë ndryshime edhe në transportin urban:
- Linjat 1/A, 1/13, 2, 8, 13 do të devijohen në itinerare alternative.
- Linjat 5/A, 10/A dhe 14 (“Unaza”) do të pezullohen përkohësisht.
Mjetet e emergjencës dhe të Policisë do të lejohen të qarkullojnë normalisht në të gjitha segmentet. Montimet për garën do të nisin që në datat 19-20 shtator, ndërsa çmontimet do të bëhen menjëherë pas përfundimit të saj.