TIRANË — Përplasja për një pronë në lagjen Selitë, dyshohet se është motivi i ekzekutimit të biznesmenit Bujar Nasufi, i cili u vra në janar të këtij viti. Hetimet e policisë kanë zbardhur detaje të reja, duke vënë në qendër të dyshimeve vëllezërit Voltan dhe Jugert Xhani, të cilët akuzohen si porositës të vrasjes.
Konflikti mes familjeve Nasufi dhe Xhani nisi pas shpronësimit të një pjese të tokës për ndërtimin e Unazës së Madhe. Banesa ku jetonte Nasufi dikur i ishte shitur familjes Xhani, por trualli figuronte ende në emër të tij. Kompensimi financiar prej rreth 30 mijë eurosh përfundoi në llogarinë e familjes Nasufi, duke ndezur sherrin mes dy familjeve.
Vrasës me pagesë
Bujar Nasufi u ekzekutua në sy të bashkëshortes, ndërsa po parkonte makinën pranë banesës së tij. Vrasja mendohet të jetë kryer nga një vrasës me pagesë. Autori, i maskuar si shpërndarës picash, qëlloi disa herë me armë zjarri dhe më pas dogji motorin dhe armën e krimit, të cilat u gjetën nga policia. Hetuesit vijojnë punën për të zbuluar identitetin e autorit.
Ndërkohë, vëllezërit Xhani, të akuzuar si porositës të atentatit, nuk janë emra të panjohur për autoritetet. Ata u arrestuan pak muaj më parë nga forcat RENEA në një operacion në Gjirin e Lalzit. Përveç porosisë së dyshuar për vrasjen e Nasufit, ata akuzohen edhe për përfshirje në ekzekutimin e Elis Roshkodolit në Shkodër, në gusht 2024.