TIRANË — Gazetari investigativ Basir Çollaku ka dhënë detaje tronditëse mbi qëndrimin e kryebashkiakut të pezulluar, Erion Veliaj, në paraburgimin e Durrësit, duke pretenduar se ai konsumon pije alkoolike. Çollaku analizoi situatën politike, duke theksuar se Partia Socialiste po përgatitet të shkarkojë Veliajn përmes këshilltarëve të majtë, me argumentin ligjor të mungesës tremujore në detyrë, duke hapur rrugën për zgjedhje të pjesshme në kryeqytet.
Në analizën e tij, Çollaku la të kuptohet se prapaskenat janë më të ndërlikuara se sa duken, duke përmendur “negociatorë” që shkojnë në burgun e Durrësit për t’i çuar mesazhe Veliajt. “Pyetja është a do të ketë zgjedhje në Tiranë. Sigurisht që nuk do të ketë! Kjo është arsyeja se po flenë te burgu Durrësit këto negociatorët që i çojnë fjalë atij,” tha ai.
Një konflikt me kode të fshehta
Çollaku e përshkroi marrëdhënien mes Kryeministrit Rama dhe Veliajt si një “luftë e ftohtë” me kode të fshehta, ku të dy shkëmbejnë mesazhe në distancë. Deklarata e Veliajt nga qelia, sipas Çollakut, ishte një paralajmërim i qartë: “Kur do flas unë, ti do bëhesh lajmi i fundit.” Ai e lidhi këtë kërcënim me thirrjen në SPAK të vëllait të Veliajt, Arbër Veliaj, duke sugjeruar se ky ishte një presion i drejtpërdrejtë ndaj kryebashkiakut.
Më tej, Çollaku ngriti dyshime të forta për frikën që ka Rama nga një dëshmi e mundshme e Veliajt, duke aluduar për një histori të përbashkët të pastrimit të parave dhe firmave mafioze. “Këta duan ta zgjidhin me paqe se këta kanë kusure të përbashkëta, këto firmat e mafies bashkë, pastrimin e parave bashkë,” u shpreh ai.
Dyshimet për konsum rakie në qeli dhe frika nga “sekretet”
Akuza më e rëndë dhe më e diskutueshme e Çollakut ishte ajo për konsumin e rakinë në burg. “…Siç kam lexuar nëpër media, se rakia ndonjëherë çka barku, e nxjerr bardhaku. Se mos ndoshta e tepron me rakinë dhe nxjerr ndonjë sekret,” tha Çollaku. Ai theksoi se Veliaj duhet të mbahet “nën mbikëqyrje nga qelia”, nga frika se mos “të thotë ndonjë gjë që Rama ka bërë”.
Dyshimet e gazetarit lidhen me një bashkëpunim të mundshëm midis Veliajt dhe Ramës në veprimtari të paligjshme, duke shtuar se Veliaj ka në duar prova që mund të implikojnë edhe Kryeministrin. Kjo situatë, sipas tij, i detyron dy palët të kërkojnë një zgjidhje paqësore për të shmangur një përplasje të hapur që mund të dëmtojë rëndë të dy palët.