Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ka reaguar pas shpërthimit me tritol në murin rrethues të banesës së tij, duke e cilësuar ngjarjen si një akt me prapavijë politike. Ndërkohë, sipas burimeve të policisë, kamerat e sigurisë në banesën e Mziut ishin jashtë funksionit në momentin e ngjarjes. Ky detaj ka ngritur dyshime të mëtejshme dhe ka bërë që hetimet të fokusohen te kamerat e bizneseve dhe banorëve të tjerë të zonës.
Dëshmia e Mziut dhe akuzat për motiv politik
Mziu, i cili ndodhej në banesë me bashkëshorten në momentin e shpërthimit, ka dëshmuar për hetuesit se nuk ka asnjë konflikt personal apo borxh dhe se shpërthimi është një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj tij si figurë opozitare. Ai theksoi se ngjarja është një “hakmarrje politike” dhe një “sinjal” për të treguar se opozita nuk mundet të reagojë ndaj “kësaj qeverie krimi e korrupsioni.”
Hetimet
Hetimet paraprake të policisë kanë zbuluar se autori dyshohet të jetë një person i vetëm, i cili është fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonë. Sipas burimeve të policisë, autori ka lëvizur me biçikletë dhe ishte i veshur me rroba të zeza. Pavarësisht se kamerat e banesës së Mziut nuk kanë funksionuar, pamjet e mbledhura nga rruga “Arjan Sala” po analizohen për të identifikuar dhe kapur autorin/ët e ngjarjes.