Një tragjedi e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku 16-vjeçari Manuel Leti humbi jetën në një aksident rrugor në komunën e Artognes, në provincën e Brescia-s. I riu, i lindur në Itali nga prindër shqiptarë, ishte student i informatikës në qendrën Cfp Zanardelli dhe jetonte me familjen e tij në Pian Camuno.
Aksidenti fatal ndodhi dje pasdite, rreth orës 14:30, në rrugën “4 Nëntori” të Artognes. Manueli po udhëtonte me motorin e tij KTM Duke 125, kur në kryqëzimin me rrugën “Caduti della Resistenza” u përplas fillimisht me pjesën e përparme të një makine Audi, e drejtuar nga një 44-vjeçar. Edhe pse përplasja me makinën ishte e lehtë, motori humbi stabilitetin dhe goditi me forcë një shtyllë ndriçimi. Pavarësisht se i riu mbante kaskë, goditja fatale në gjoks dhe bark rezultoi vdekjeprurëse.
Një mik i Manuelit, i cili po e ndiqte me një motor tjetër, ishte dëshmitar i ngjarjes, por nuk mundi të bënte asgjë për ta ndihmuar. Shërbimet e urgjencës, duke përfshirë ambulancën dhe një helikopter, mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, por përpjekjet e mjekëve për ta kthyer në jetë ishin të kota dhe ata konfirmuan vdekjen e tij.
Autoritetet lokale reaguan me dhimbje ndaj ngjarjes. Kryetarja e Bashkisë së Artognes, Barbara Bonicelli, e cilësoi tragjedinë “të papranueshme”, ndërsa kryetari i Pian Camuno, Giorgio Ramazzini, shprehu keqardhje të thellë, duke e cilësuar familjen Leti si një “familje të respektuar” dhe duke thënë se është e vështirë të gjesh fjalë për një dhimbje të tillë.
Ky aksident tragjik e çon në 21 numrin e viktimave me motor në provincën e Brescias vetëm gjatë kësaj vere. Tre prej tyre kanë qenë në moshën 16-vjeçare. Vdekja e Manuelit ka tronditur thellë komunitetet e Artognes dhe Pian Camuno, të cilat i kanë shprehur ngushëllime familjes. Funerali i tij do të mbahet sot, më 22 shtator, në orën 16:30, në Kishën e Shën Familjes në Pian Camuno.
