TIRANË — Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbardhur vrasjen e Klevis Lleshit, të riut nga Burreli që u zhduk në gusht 2020 dhe u gjet i groposur dy vjet më vonë. Pas hetimeve të thelluara, SPAK ka vënë në pranga Sabah Nuzin dhe Samet Lokën, ndërsa ka shpallur në kërkim Aurel Hoxhën si porositës të krimit dhe bashkëpunëtorin tjetër, Sajmir Kolaverin.
Ky krim makabër është pjesë e një sagë të gjatë hakmarrjeje mes dy familjeve nga Burreli, Lleshi dhe Hoxha, e cila nisi në vitin 2012.
Historia e hakmarrjes: nga miqësia te vrasjet e shumta
Sipas raportimit të gazetares Dorjana Bezat të Top Channel, konflikti nisi në Angli mes dy shokëve, Arben Lleshit dhe Agim Hoxhës, të cilët merreshin me trafik droge. Agimi, që ishte i pari në këtë veprimtari, mori me vete Arbenin. Megjithatë, si pasojë e xhelozisë, Arbeni vrau Agimin, e futi trupin në makinë dhe e dogji. Pas krimit, Arbeni u tha të afërmve se nuk kishte lidhje me ngjarjen, duke e justifikuar si një përplasje mes bandash.
Por, kur u zbulua e vërteta, Aurel Hoxha, vëllai i viktimës Agim Hoxha, u betua se “do t’i vras të gjithë djemtë e familjes Lleshi”.
Kjo betejë me gjak i kushtoi jetën disa anëtarëve të familjes Lleshi:
- Xhavit Lleshi (babai i Klevis Lleshit) u vra në vitin 2013.
- Hajredin Lleshi (xhaxhai i Klevis Lleshit) u vra në vitin 2016.
- Klevis Lleshi u vra në vitin 2020, krim ky i zbardhur tani nga SPAK.
- Arben Lleshi, autori i krimit të parë, u vra brenda burgut të Peqinit nga Sokol Mjacaj në vitin 2023. Pas vrasjes së tij, askush nga familja nuk e mori trupin nga frika e hakmarrjes, duke e detyruar bashkinë të bënte varrimin.
Me zbardhjen e vrasjes së Klevis Lleshit, SPAK po jep një sinjal se do të punojë për t’i dhënë fund kësaj sagë të vjetër hakmarrjeje.