KORÇË — Një operacion i Prokurorisë së Korçës ka çuar në sekuestrimin e një pasurie të madhe, që dyshohet se është krijuar nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës. Pas një hetimi disavjeçar, autoritetet kanë vënë në sekuestro preventive pasuritë e shtetasit Edri Buliçka, 33 vjeç, dhe familjarëve të tij, të cilat ai i justifikonte me të ardhurat e një “kamerieri”.
Sipas Prokurorisë, pasuritë e sekuestruara përfshijnë një hotel, prona të ndryshme, subjekte tregtare dhe disa automjete luksoze.
Pretendimi fiktiv i ‘punës si kamerier’
Hetimi mbi procedimin penal nr. 208, i nisur në vitin 2022 për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, ka zbuluar një diskrepancë të madhe mes të ardhurave të ligjshme të familjes Buliçka dhe pasurisë së tyre. Edri Buliçka deklaronte se kishte siguruar pasurinë nga paga e tij si kamarier në fshatin Udënisht të Pogradecit.
Verifikimet e Prokurorisë zbuluan se ky punësim ishte fiktiv dhe ai nuk kishte qenë asnjëherë i punësuar në atë subjekt. Po ashtu, një aktivitet tregtar për “shitje online” i regjistruar nga nëna e tij, Edlira Buliçka, nuk justifikonte vlerat e konsiderueshme monetare që qarkullonin në llogaritë e familjes, të cilat referohen si burim nga trafiku i narkotikëve në Itali dhe Spanjë.
Lista e detajuar e pasurive të sekuestruara
Në bazë të vendimit të Gjykatës, janë sekuestruar një sërë pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme, me vlerë të konsiderueshme:
Pasuri të paluajtshme:
- RICH HOTEL në Pogradec, me një sipërfaqe 152.5 m2.
- Një truall me sipërfaqe 965 m2.
- Një truall tjetër.
- Një apartament në pronësi të nënës së tij.
- Një apartament tjetër në pronësi të Edri Buliçkës dhe një personi tjetër.
Subjekte tregtare:
- Subjekti tregtar “Rich Hotel” sh.p.k.
- Subjekti tregtar “E. B.”, me objekt veprimtarie shitblerjen e automjeteve.
- Subjekti tregtar “E. B.”, me objekt veprimtarie servis makinash dhe dhënie me qira.
Automjete:
- Një automjet i markës Mini Cooper.
- Një automjet i markës Ford.
- Një automjet i markës DAIMLER CHRYSLER (Mercedes Benz).
- Dy kamionë të markave Mercedes Benz dhe DAIMLER BENZ.
- Një automjet i markës Audi.
Ky aksion i Prokurorisë shënon një hap të rëndësishëm në luftën kundër pastrimit të parave, duke goditur pasurinë e krijuar nga krimi dhe duke dërguar një mesazh të qartë se burimi i pasurisë do të hetohet me rigorozitet.