Një aksion i koordinuar nga SPAK, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe partnerët ndërkombëtarë Europol e Eurojust, ka goditur dy grupe të strukturuara kriminale në Durrës dhe Shijak. Operacioni ka çuar në zbardhjen e një vrasjeje të rëndë dhe në prishjen e një skeme masive për tjetërsimin e pronave publike në zonën bregdetare.
Vrasja e Edmir Bregut
Hetimet kanë provuar se ekzekutimi i Edmir Bregut, i ndodhur më 21 janar 2021 në Durrës, është porositur për hakmarrje nga Astrit Avdylaj, i njohur si kreu i bandës së Shijakut. Sipas SPAK, atentati u organizua nga një rrjet personash që siguruan automjete, armë dhe banesa për kryerjen e krimit.
Tjetërsimi i pronave publike
Një tjetër grup kriminal, i drejtuar sipas dyshimeve nga Aleksandër Laho, alias “Rrumi i Shijakut”, kishte ngritur një skemë të sofistikuar falsifikimesh për përvetësimin e 254,300 m² tokë publike në Lalëz dhe Shetaj. Dokumentet falsifikoheshin duke u regjistruar në emër të banorëve lokalë, të cilët nuk kishin dijeni, dhe më pas shiteshin tek kompani apo individë të interesuar. Si pjesë e hetimit, SPAK ka sekuestruar preventivisht 11 pasuri.
Bilanci i operacionit
Deri tani, janë lëshuar 9 urdhër-arreste, prej të cilave 5 janë ekzekutuar dhe 4 persona mbeten në kërkim.
Të arrestuar:
-
Vullnet Muça (vëllai i Aleksandër Lahos)
-
Enea Kume (vëllai i deputetit socialist Loer Kume)
-
Vlash Draçi
Në kërkim:
-
Aleksandër Laho (“Rrumi i Shijakut”)
-
Astrit Avdylaj (aktualisht në burg nga operacioni “Revanshi”)
-
Dy persona të tjerë të dyshuar si pjesë e grupeve kriminale
Profili i të dyshuarve kryesorë
-
Astrit Avdylaj, i njohur si kreu i bandës së Shijakut, ndodhet tashmë në qeli nga operacioni “Revanshi”. Ai akuzohet si porositës i vrasjes së Edmir Bregut dhe është i përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale që nga vitet ’90. Hetimet mbi komunikimet e tij në aplikacionin “Sky ECC” kanë zbuluar plane për vrasje me pagesë dhe lidhje me grupe të tjera kriminale brenda dhe jashtë vendit.
-
Aleksandër Laho, alias “Rrumi i Shijakut”, ka një të shkuar të rënduar penale. Ai është dënuar më parë për tjetërsimin e 45 mijë m² tokë në Gjirin e Lalzit dhe për korrupsion aktiv. Laho ka qenë gjithashtu i përfshirë në një rast pengmarrjeje dhe është shpallur në kërkim disa herë nga autoritetet.
Përfshirja e vëllait të një deputeti
Ndër të arrestuarit është edhe Enea Kume, vëllai i deputetit të PS-së, Loer Kume. Ky i fundit reagoi publikisht duke konfirmuar arrestimin e të afërmit të tij dhe theksoi se “gjithkush është përgjegjës për jetën dhe vendimet që merr”, duke u distancuar nga veprimet e vëllait.