Qeveria shqiptare ka miratuar ndryshime të rëndësishme në Rregulloren e Zhvillimit të Territorit, duke vendosur rregulla më të rrepta për të ndaluar ndërtimet dhe rrethimet që pengojnë qarkullimin në rrugë dhe hapësira publike. Vendimi i Këshillit të Ministrave synon të mbrojë servitutet publike, duke siguruar që qytetarët të kenë akses të lirë në sheshe, rrugë dhe parqe, pavarësisht nëse pronat janë private apo jo.
Ndalohen ndërtimet në hapësirat publike dhe penalizimi i vonesave
Një nga ndryshimet kryesore është se nuk do të jepen më leje ndërtimi për prona që janë planifikuar të jenë hapësira publike si sheshe, rrugë apo parqe, edhe nëse ato janë në pronësi private. Po ashtu, ndalohet dhënia e lejeve për vendosjen e rrethimeve, trarëve apo çdo pengese që kufizon hyrjen në servitute publike, pavarësisht nëse ky servitut është i regjistruar zyrtarisht apo jo.
Një tjetër masë e rëndësishme është ajo që lidhet me afatet kohore. Çdo kërkesë për leje ndërtimi, ndryshim projekti apo certifikatë përdorimi do të refuzohet automatikisht nëse tarifa përkatëse nuk paguhet brenda 15 ditëve nga momenti i njoftimit. Ky rregull synon të shkurtojë vonesat dhe të përshpejtojë procedurat për investitorët seriozë.
Më shumë kompetenca për rishikimin e lejeve
Me ndryshimet e reja, bashkive u jepet e drejta për të anuluar ose shfuqizuar lejet e dhëna gabimisht për rrethime në zona me servitut publik. Kjo mund të bëhet qoftë me iniciativën e tyre, pas inspektimeve, qoftë pas ankesave nga palët e interesuara.
Vendimi gjithashtu përcakton se projektet për banim në zonat rurale do të miratohen vetëm nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit, duke përqendruar kontrollin për zhvillimet e këtij lloji. Ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.