Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Korçë, ku një vajzë 14-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi është hedhur nga kati i tretë i banesës. Sipas raportimeve paraprake dhe dëshmisë së nënës, vajza ishte viktimë e vazhdueshme e bullizmit dhe dhunës fizike nga fëmijët e lagjes.
Një histori e dhunshme që përsëritet
Nëna e vajzës, e cila ka katër fëmijë, ka rrëfyer se familja e saj, me origjinë nga fshati, bullizohet dhe dhunohet vazhdimisht nga fëmijët e tjerë. “Vajzën e madhe ma kanë rrahur, edhe vajzën e dytë,” tha ajo, duke shtuar se dhuna dhe talljet po shtohen.
Episodi i fundit, që çoi në ngjarjen tragjike, ndodhi mesditën e sotme, kur një vajzë e lagjes jo vetëm që dhunoi 14-vjeçaren, por goditi edhe nënën e saj. Kur nëna ishte duke bërë denoncimin në polici për këtë rast, vajza e saj e mitur është hedhur nga pallati.
Ajo rrëfeu me dëshpërim fjalët e rënda që e shtynë vajzën drejt aktit ekstrem: “U hodh se e tallnin fëmijët në lagje, i thoshin që ‘mamin ta morën në polici, jeni fshatarë’”. Familja po kërkon me ngulm ndihmë nga autoritetet, duke kërkuar masa ndaj fëmijëve dhunues.
Gjendja e vajzës
Vajza 14-vjeçare ndodhet aktualisht në Spitalin e Korçës, ku mjekët po luftojnë për ta mbajtur në jetë.