Një aksident tragjik rrugor është shënuar këtë të shtunë në Guatemalë, ku një autobus pasagjerësh ka dalë nga rruga dhe është rrëzuar në një përrua pranë një segmenti autostrade. Si pasojë e ngjarjes së rëndë, kanë humbur jetën të paktën 15 persona, ndërsa 19 të tjerë janë plagosur.
Autoritetet lokale kanë konfirmuar se mes viktimave ndodhen 11 burra, tre gra dhe një fëmijë. Zëdhënësi i departamentit të zjarrfikësve, Leandro Amado, bëri të ditur se të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spitalet më të afërta, ku po marrin ndihmë mjekësore.
Forcat e shpëtimit kanë punuar për orë të tëra për nxjerrjen e trupave dhe transportimin e të lënduarve, teksa pamjet nga vendngjarja tregojnë dëmtime të rënda në pjesën e përparme të autobusit.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit fatal. Paraprakisht dyshohet se ngjarja mund të jetë shkaktuar nga shpejtësia e lartë ose humbja e kontrollit nga drejtuesi i mjetit, por autoritetet po verifikojnë të gjitha pistat e mundshme.
