Një tërmet është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Maqedoninë e Veriut, duke shkaktuar panik tek banorët e zonave përreth Ohrit dhe Strugës. Sipas Shërbimit Sizmologjik, lëkundjet janë regjistruar rreth orës 22:06 dhe kanë pasur epiqendrën në rajonin Peshtani–Ohër–Strugë, rreth 103 kilometra në jugperëndim të Shkupit.
Magnituda e tërmetit është vlerësuar 2.8 ballë të shkallës Rihter. Edhe pse intensiteti ishte i ulët, lëkundjet janë ndjerë qartë nga banorët e zonës, të cilët raportuan shqetësim dhe dalje nga banesat për shkak të frikës së pasgoditjeve.
Në njoftimin zyrtar të Observatorit Sizmologjik të Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikës në Shkup thuhet:
“Rrjeti telemetrik sizmologjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në stacionet sizmologjike të instaluara në të gjithë territorin e saj, mbrëmë në orën 22:06 regjistroi një tërmet, epiqendra e të cilit kishte origjinën në zonën epiqendrore Peshtani–Ohër–Strugë, afërsisht 103 km në jugperëndim të Shkupit.”
Autoritetet konfirmuan se nuk janë raportuar dëme materiale apo persona të lënduar, ndërsa situata është vlerësuar si e qëndrueshme. Institucionet përgjegjëse vijojnë monitorimin e aktivitetit sizmik në këtë rajon, i cili njihet si një nga zonat më aktive sizmike në vend.
