Me urdhër të SPAK dhe me miratim të GJKKO, hetuesit e BKH kanë kryer kontrolle në ambiente dhe tek disa shtetas të dyshuar për përfshirje në afera korruptive me tenderët e rrugëve. Bastisjet po zhvillohej në kuadër të procedimit nr. 136 të vitit 2025, për dyshime mbi abuzimin e fondeve publike në projektet e infrastrukturës rrugore.
Objekt kontrolli dhe pjesë e hetimeve janë edhe dy ‘mamuthët’ e tenderëve të rrugëve, Pëllumb Salillari dhe Paqësor Buzi.
Salillari është përfitues i qindra milionë euro (para publike) përmes tenderëve të paracaktuar me pazar në tavolinë, me oferta fituese sa fondi limit dhe duke mashtruar me zbatimin e kontratave publike,
përmes deformimit të projekteve dhe situacioneve false. Vetëm gjatë 5 viteve të fundit në llogarinë e kompanisë Salillari kanë kaluar 170 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Ndërkaq, kompania G. P. G. COMPANY e ‘mamuthit’ të fondeve publike, Paqsor Buzi, i arrestuar në vitin 2020 për skema mashtruese me TVSH, ka përfituar gjithashtu qindra milionë euro fonde publike përmes tenderëve me natyrë korruptive dhe duke mashtruar me zbatimin e kontratave.
Gjatë 5 viteve të fundit, periudhë në të cilën ka shtrirë hetimet SPAK-u, Paqësor Buzi ka marrë nga buxheti i shtetit 160 milionë euro.
Fillon hetimi i ‘mamuthëve’ të korrupsionit:
Një ekip i BKH-së ka ushtruar kontrolle edhe në kompaninë 2T shpk, pas të cilës qëndron ish komandanti i Gardës, Artan Sako, aktualisht kryetar i Bashkisë Berat, por me pronar formal vëllanë e tij, Artan Sako.
Kompania 2T është një nga përfitueset më të mëdha të fondeve publike me tenderë klientelistë. Gjatë pesë viteve të fundit ka marrë drejtpërdrejtë nga arka e shtetit 100 milionë euro.
BKH, me urdhër të SPAK-ut, ka ushtruar kontrolle edhe tek kompania 4 A-M shpk e Ardit Metaliaj, i cili dyshohet se është prestanome i Bashkim Ulajt. Gjatë 5 viteve të fundit kompania 4 A-M shpk ka marrë nga arka e shtetit mbi 140 milionë euro para publike, përmes tenderëve klientelistë, të paracaktuar dhe me letra false.
Gjatë 5 viteve të fundit, katër ‘mamuthët’ e tenderëve korruptivë, Pëllumb Salillari, Paqësor Buzi,
Artan Sako dhe Ardit Metaliaj kanë përlarë nga buxheti i shtetit 570 milionë euro, përmes tenderëve të përcaktuar me pazar në tavolinë. Komisioni i Prokurimit Publik ka konstatuar në disa raste që kompanitë kanë marrë pjesë në tenderë me letra false.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar në shumë raste që kompanitë e 4 ‘mamuthëve’ të fondeve publike kanë mashtruar me zbatimin e kontratave për ndërtimin e veprave publike,
me punime të pakryera, situacione false dhe deformim të projekteve me qëllim fitimi. Paratë e vjedhura dyshohet se i kanë ndarë me zyrtarët e korruptuar, duke i pastruar në pasuri të paluajtshme.
