Dy ngjarje tragjike janë regjistruar gjatë ditës së sotme në Tiranë, ku dy persona kanë humbur jetën në rrethana të ndryshme, njëri si pasojë e një arresti kardiak, ndërsa një grua ka ndërruar jetë pasi është mbytur gjatë konsumimit të ushqimit në një restorant.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, shtetasi E. B., 45 vjeç, dyshohet se ka pësuar arrest kardiak gjatë drejtimit të automjetit në autostradën Tiranë–Durrës. Si pasojë e ndalesës së papritur shëndetësore, ai ka humbur jetën, ndërsa autoritetet po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, një tjetër rast i rëndë është regjistruar në një lokal në rrugën Xhanfize Keko, ku shtetasja G. D., 53 vjeçe, ka ndërruar jetë teksa ishte duke drekuar. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ajo është mbytur si pasojë e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes gjatë konsumimit të ushqimit.
Në të dyja rastet, policia ka nisur veprimet procedurale dhe hetimet përkatëse për të dokumentuar rrethanat e plota, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme mjeko-ligjore.
