Belinda Balluku nuk do të rikthehet në detyrë, pasi Gjykata e Posaçme ka rrëzuar këtë të premte kërkesën e saj për pezullimin nga detyra. Ajo akuzohet për “shpërdorim detyre” në disa raste, kryesisht me lot-et e Unazës së Madhe në Tiranë dhe Tunelin e Llogarasë.
Vendimi është marrë nga gjyqtari i posaçëm Erion Çela, i cili ka konstatuar pavlefshmërinë e kërkesës së bërë nga ish-zëvendësministrja, e cila përveç pezullimit nga GJKKO, edhe është zëvendësuar në kabinet nga Edi Rama.
Posti që ajo mbante si Zëvendëskryeministre i ka kaluar Albana Koçiut, kurse posti si Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë i është besuar Enea Karakaçit.
Ndodhur në këto kushte, edhe me vendimin e sotëm, pezullimi nga detyra mbetet në fuqi. Belinda Balluku ka bërë edhe rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar nga institucioni më i lartë i drejtësisë në Shqipëri, që të rrëzojë vendimet e dy shkallëve të posaçme.
Në kërkesën e saj, SPAK bënte me dije se Balluku është e dyshuar për shkelje të barazisë në procedurat e tenderëve publikë, veprimtari që lidhet me një sërë projekte infrastrukturore të realizuara në periudhën e fundit, përfshirë ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe projekte të tjera në lidhje me Unazën e Tiranës dhe segmentet rrugore të qytetit.
Konkretisht, Balluku akuzohet për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
