Lidhur me procesin zgjedhor në Partinë Demokratike ka reaguar edhe Fatos Mihali, një nga themeluesit e PD-së dega Fier, i cili vlerësoi pjesëmarrjen e demokratëve si një tregues të mbështetjes për opozitën dhe për lidershipin aktual të partisë.
“Unë jam një nga themeluesit e Partisë Demokratike në Fier. Shumë nga ata që e themeluan këtë parti sot nuk jetojnë më, disa janë larguar, ndërsa të tjerë nuk janë më aktivë. Më vjen keq që shumë prej tyre nuk ishin sot për të votuar për Sali Berishën. E them me bindje se, nëse Partia Demokratike nuk do të kishte qenë me Berishën, sot nuk do të ekzistonte. Do të ishte një parti e shpërbërë dhe pa frymë demokratike,” – u shpreh Mihali.
Ai shtoi se Berisha meriton të jetë sërish kryetar i PD-së, duke theksuar se askush tjetër nuk ka dhënë për partinë atë që ka dhënë ai ndër vite.

Mihali foli edhe për nevojën e bashkimit dhe organizimit të strukturave të PD-së, duke theksuar se partia duhet të ruajë identitetin dhe frymën që kishte në fillesat e saj.
“Partia Demokratike do të rikthehet në pushtet, por kjo kërkon kontributin e të gjithëve. Unë nuk do ta lë kurrë gurin tim të themelit. Kam qenë dhe do të mbetem pjesë e kësaj force politike deri në fund,” – përfundoi Fatos Mihali.
