Gazetari dhe ish-kandidati për deputet i PD-së, Aulon Kalaja, ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me prokurorët e SPAK-ut, duke pretenduar se disa prej tyre kanë lidhje me krimin e organizuar.
Megjithatë, Kalaja tha se në Prokurorinë e Posaçme ka edhe prokurorë shumë të mirë dhe se ata që kanë probleme do të zbulohen së shpejti.
Gjithashtu, gazetari deklaroi në A2CNN se ndërkombëtarët kanë kryer hetime për këta prokurorë që ai i cilësoi si të korruptuar.
Kalaja: Unë e kam mbështetur SPAK-un dhe e kam kritikuar fort në momentet kur nuk ka bërë punë të mira. Sepse aty ke prokurorë të korruptuar që janë brenda SPAK-ut edhe tani që po flasim. Aktualisht ka prokurorë që janë të lidhur edhe me krimin e organizuar. Ashtu siç ka edhe prokurorë shumë të mirë.
Janë deklarata të cilat besoj se do të marrin përgjigje shumë shpejt.
Ka disa hetime edhe nga ndërkombëtarët që janë brenda SPAK-ut, sepse ata monitorojnë aty. Janë njerëz që kanë praninë e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për çështje që vijnë nga DEA apo agjenci të tjera që kanë interesa të caktuara me shtete të caktuara.
Ka edhe prokurorë shumë të mirë, të cilët janë të kualifikuar, të ndershëm dhe të pakorruptueshëm, dhe që unë i kam përshëndetur gjithmonë.
