Një incident i rëndë është regjistruar në ambientet e Gjykatës së Vlorës, ku një grua ka tentuar të hyjë brenda godinës duke mbajtur me vete një thikë. Sipas raportimeve të gazetarit Enrik Mehmeti, ajo është konstatuar menjëherë nga forcat e sigurisë, të cilët kanë ndërhyrë duke mos e lejuar të futet në gjykatë.
Pas ndërhyrjes së punonjësve të sigurisë, gruaja është neutralizuar dhe mbajtur nën kontroll deri në mbërritjen e policisë. Ende nuk janë bërë të ditura motivet që e shtynë të ndërmerrte këtë veprim.
Ngjarja rikthen në vëmendje shqetësimet për sigurinë në institucionet e drejtësisë, sidomos pas atentatit tragjik në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri ish-gjyqtari Astrit Kalaja. Në rastin e Vlorës, reagimi i shpejtë i forcave të sigurisë shmangu një situatë që mund të kishte pasoja të rënda.
Gruaja është shoqëruar nga uniformat blu, ndërsa pritet që organet kompetente të zbardhin rrethanat dhe arsyet e këtij incidenti.
