Një pjesë e fortë e dëshmisë së babait të Mirzeta Kashnicës, transmetuar nga Fiks Fare, tregon momentin kur zyrtarja e Ministrisë së Infrastrukturës vendosi të denonconte presionet që pretendonte se kishte marrë nga Belinda Balluku.
Sipas babait, Mirzeta telefonoi drejtpërdrejt kreun e atëhershëm të SPAK-ut, Altin Dumani, dhe kërkoi një takim urgjent. Në takim, sipas tij, ndodheshin Dumani dhe prokurori i çështjes, Dritan Prençi.
Babai rrëfen se kur Mirzeta deklaroi se Balluku i kishte bërë presion, Dumani e paralajmëroi për peshën e akuzës: “Kjo që thua ti, që më ka bërë presion Balluku, është një akuzë që ne e marrim nga rruga dhe e fusim brenda.”
Mirzeta, sipas tij, nuk u tërhoq dhe këmbënguli që deklarimi të hidhej në letër.
Por kronologjia e mëpasshme ngre pikëpyetje të forta. Altin Dumani e drejtoi SPAK-un nga 19 dhjetori 2022 deri më 18 dhjetor 2025. Kërkesa zyrtare e SPAK-ut për autorizimin e arrestimit/heqjes së lirisë së Belinda Ballukut iu dërgua Kuvendit vetëm më 16 dhjetor 2025, pra vetëm dy ditë para përfundimit të mandatit të Dumanit.
Pra, sipas rrëfimit të babait të Mirzetës, në zyrën e SPAK-ut akuza për presion u konsiderua aq serioze sa u fol për arrestim të menjëhershëm. Por kërkesa formale për Ballukun erdhi vetëm në fund të mandatit të Dumanit dhe arrestimi nuk u realizua kurrë as nga prokurori i çështjes, Dritan Prençi.
Balluku nuk përfundoi “e marrë nga rruga dhe e futur brenda”, siç babai i Mirzetës pretendon se Dumani kishte përshkruar seriozitetin e akuzës. Përkundrazi, çështja kaloi në një betejë të gjatë procedurale dhe institucionale.
Dhe pas gjithë kësaj mbetet një pyetje shumë konkrete:
Çfarë u bë me denoncimin e Mirzeta Kashnicës se ishte vënë nën presion dhe kush do të mbajë përgjegjësi se një dëshmitare e SPAK-ut është intimiduar për atë që kishte vendosur t’u tregonte prokurorëve?
Më poshtë, rrëfimi i babait të Mirzeta Kashnicës:
Babai i Mirzetës – Dhe tani që doli Rama që tallej me të në televizor, mori direkt kreun e Spakut në telefon: ‘Jam Mirzeta Krasniqi, dua të të takoj patjetër’. Kjo i vajti direkt brenda pa avokat fare. ‘Bjeri çik letrat këtu – i tha – më ka bere presion’. Por, deri në atë moment, çupa ime s’kishte pranuar asnjë gjë. Mendohu mirë – i tha kreu i SPAK-ut – se kjo që thua ti që më ka bërë presion Balluku, kjo është një akuzë që ne e marrim nga rruga atë dhe e fusim brenda atë. ‘Bjere letrën këtu! – i tha vajza – Mendohu mirë! Jam menduar’ – i tha ajo – ‘përderisa erdha këtu, e kam ndarë mendjen edhe për Ramën dhe për Ballukun’.