Balliu nuk e mohoi që ishte ai personi që kaloi Lanën, duke thënë se këto janë “tentativa të turpshme të Vlora Hysenit”.
Debati për episodin e deputetit të Partisë Demokratike, Klevis Balliu, gjatë protestës në Tiranë, ku ai u hodh në lumin e Lanës për t’i shpëtuar një përplasje me studentët, ka vijuar edhe në studion e emisionit “Top Story”.
Gjatë diskutimit, analisti Arjan Curri e ka pyetur disa herë deputetin nëse ishte futur vetë në lumë dhe nëse veprimi i tij kishte qenë i qëllimshëm. Pyetjet e përsëritura kanë sjellë një përballje mes tyre në studio, ku Balliu ka reaguar duke e sfiduar Currin që të hynte bashkë me të në Lanë.
Deputeti i PD-së ka kundërshtuar interpretimin e ngjarjes dhe ka këmbëngulur se ai nuk ishte një veprim i bërë për t’iu shmangur situatës së krijuar gjatë protestës. Sipas tij, episodi lidhej me një përpjekje për ta diskredituar dhe për të krijuar një perceptim të caktuar për atë që kishte ndodhur
Balliu nuk e mohoi që ishte ai personi që kaloi Lanën, duke thënë se këto janë “tentativa të turpshme të Vlora Hysenit”.
Debati në panel:
Arjan Curri: A je ti në Lanë apo jo? Se më duket që i ke rrobat akoma të lagura.
Klevis Balliu: Hajde futemi bashkë sa të duash.
Arjan Curri: Pse je futur në Lanë?
Klevis Balliu: Unë vij aty dhe më sheh a jam i lagur apo jo. Çështja që është më thelbësore është kjo. Nuk kanë lidhje këto veprime me studentët. Është tentativë e turpshme dhe lidhet me Vlora Hysenin.
Arjan Curri: Nuk e mohon ai. A je futur në Lanë apo jo?
Klevis Balliu: Tentativa të tilla për të më bërë pis janë skema të Vlora Hysenit.
Arjan Curri: Po u fute në Lanë, pis do bëhesh. Por që u fute vetë apo ju hodhën? Ne e pyesim për Lanën, ky thotë Vlora Hyseni. Kjo është shqetësuese. Një deputet i Parlamentit të hidhet me kokë në Lanë?
Klevis Balliu: Nesër do të jemi më fort aty. Do të jemi më shumë aty.
Arjan Curri: Kjo është shumë shqetësuese. Shyqyr që je gjallë, se në Lanë janë mbytur edhe njerëz.
