Qeveria ka prezantuar skemën e rritjes së pensioneve, e cila parashikon shtesa mujore të ndryshme në varësi të kategorisë së pensionit dhe masës së përfitimit aktual. Megjithatë, rritja nuk do të jetë e njëjtë për të gjithë pensionistët, pasi përfitimi kushtëzohet nga kufij të caktuar të të ardhurave mujore.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se rritja e pensioneve do të vijojë edhe në vitet e ardhshme, duke theksuar se këtë vit shtesat do të jenë të dyfishuara.
“Ekonomia na e ka dhënë mundësinë, rritja e pensioneve të dyfishohet në çdo vit pasardhës. Rritja e këtij viti do të jetë e dyfishuar”, është shprehur Rama, duke iu referuar edhe vështirësive që familjet përballojnë për shkak të rritjes së kostos së jetesës.
Sa do të përfitojë secila kategori?
Sipas skemës së bërë publike, shtesat mujore ndahen sipas kategorive të pensionistëve dhe kufijve të përcaktuar për masën e pensionit.
1,800 lekë në muaj: Përfituesit e pensionit të pleqërisë, nënat me shumë fëmijë dhe personat që përfitojnë pension sipas kategorive përkatëse, me kusht që pensioni të mos kalojë 40,000 lekë në muaj. 800 lekë në muaj: Përfituesit e pensionit të pjesshëm të pleqërisë dhe kategoritë e përfshira në skemën përkatëse të përfitimeve sociale, me pension nën 22,000 lekë në muaj. 1,000 lekë në muaj: Pensionistët e fshatit dhe ish-kooperativistët që marrin më pak se 18,000 lekë në muaj. 700 lekë në muaj: Përfituesit e pensionit familjar, nëse masa e pensionit është nën 18,000 lekë në muaj. 600 lekë në muaj: Përfituesit e pensionit të invaliditetit që marrin më pak se 30,000 lekë në muaj. Sipas informacionit të publikuar, personat që tejkalojnë kufijtë përkatës të pensionit nuk përfitojnë shtesën e parashikuar për kategorinë e tyre.