TIRANË — Një “dorë e hekurt” duket se ka nisur punën në Ministrinë e Brendshme. Ministrja e re, Albana Koçiu, e cila është gruaja e parë në këtë post, ka marrë një vendim të shpejtë dhe drastik, duke shkarkuar zëvendësin e saj, Andi Mahila. Arsyeja e largimit të zyrtarit të lartë ishte një denoncim qytetar, i cili e kapte atë duke pirë cigare në ambient të mbyllur.
Njoftimi i shkarkimit erdhi menjëherë pas denoncimit, i cili ishte i shoqëruar me foto që dëshmonin shkeljen e ligjit. Pirja e cigares në ambiente të mbyllura publike është e ndaluar rreptësisht në Shqipëri. Denoncimi, i dërguar drejtpërdrejtë në adresën e ministres, bëri që Koçiu të vepronte pa humbur kohë.
Mahila, i cili mbante postin e zëvendësministrit që nga janari i vitit 2021, u shkarkua menjëherë me një vendim të Këshillit të Ministrave. Ky veprim i Koçiut konsiderohet një sinjal i fortë ndaj administratës shtetërore dhe opinionit publik se ligji do të zbatohet për të gjithë, pa përjashtim. Menjëherë pas miratimit të shkarkimit, ministrja njoftoi qytetarin që bëri denoncimin për veprimin e ndërmarrë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes qytetarëve dhe institucioneve.
