Videot intime të kompozitorit Adrian Hila vijojnë të shfaqen në rrjetet sociale, herë pas here duke zbuluar edhe personazhe të rinj, të filmuar pa dijeninë e tyre në momente intime.
Rasti më i fundit është ai i një djali në moshë të re, por gazetarja Fatjona Mejdini thotë se kjo çështje tashmë nuk duhet parë thjesht në aspektin moral.
Djali në fjalë, dikur ka performuar para Adrian Hilës, në një spektakël për fëmijë. Kjo ngre dyshime të dorta se Hila ka pasur në dorë ta ndihmonte atë, por ndoshta edhe të tjerë, që të avanconin në karrierën muzikore.
Ndaj, gazetarja Mejdini bën thirrje që nëse ka persona të tjerë të cilët mund të kenë pasur raste në ngjashme, t’i drejtohen institucioneve të drejtësisë, duke marrë guximin për ta denoncuar.
Mesazhi i gazetares:
Nëse deri tani çështja e kompozitorit Hila dukej e parëndësishme për t’u komentuar në aspektin moral, nisur nga fakti se personat e përfshirë ishin të rritur dhe kishin zgjedhur me konsensus të kishin një marrëdhënie intime, sot kjo çështje ka marrë një kthesë krejt tjetër.
Në një video shfaqet një djalë i ri, i cili, disa vite më parë, kur ishte fëmijë, performonte përballë tij, ndërsa Hila, në kuadër të një programi televiziv, kishte në dorë mundësinë për të ndikuar në avancimin e tij në karrierë.
Kjo rrethanë ngre pikëpyetje serioze nëse Hila mund të ketë abuzuar me pozitën e tij dhe me marrëdhënien e pushtetit, për më tepër ndaj një të mituri. Po aq shqetësuese është mundësia që ky të mos ketë qenë një rast i izoluar, por pjesë e një sjelljeje sistematike. Këto janë, natyrisht, çështje që duhen hetuar dhe provuar dhe jo të paragjykohen paraprakisht.
Por, nëse ka persona të tjerë që kanë qenë të mitur në kohën kur mund të kenë ndodhur raste të tilla ata duhet me guxim, t’u drejtohen institucioneve të drejtësisë, në mënyrë që faktet të hetohen dhe autori, të përballet me ligjin.
Turpi nuk duhet t’i ndalojë të flasin. Ai nuk u përket atyre, por njerëzve që përdorin autoritetin apo pushtetin për të abuzuar me ata që janë më të dobët dhe më të pambrojtur.
