Sipas vendimit të qeverisë me Nr.462, datë 31.7.2025 tarifat të cilat pësojnë një rritje të ndjeshme hyjnë në fuqi menjëherë sapo publikohen në Fletore Zyrtare. Kështu regjistrimi i kontratave të shitjes, të dhurimit, të shkëmbimit, të heqjes dorë nga pronësia, pjesëtimi i pasurisë etj. do të kushtojë 5000 lekë me tarifat e reja, nga 3500 që kushton aktualisht, pra një rritje me 30%.
Tarifa e regjistrimit të aktit të trashëgimisë do të dyfishohet, nga 1000 lekë do të bëhet 2000 lekë. Tarifat për regjistrimet e kontratave në procesin e kredimarrjes dhe hipotekimit do të pësojnë rritjen më të madhe në vlerë, deri në 5000 lekë më shumë.
Rregjistrimi i kontratës se hipotekës për garantimin e kredisë se dhënë nga banka apo institucion tjetër kredidhënës, për kredi me vlerë deri në 1 milion lekë do të kushtojë 8000 lekë nga 7500 që ishte deri më sot; e njëjta kontratë por për shumën e kredisë deri në 10 milionë lekë do të kushtojë 17,000 nga 15,000 që ishte dhe regjistrimi i një njëjtës kontratë për kredi me vlerë mbi 10 milionë lekë do të kushtojë 30 mijë lekë ose 5 mijë lekë më shumë nga aktualisht.
Edhe lëshimi i certifikatave dhe vërtetimeve të pronësisë, që janë edhe dokumentet më të kërkuara dhe të përdorshme do të kushtojnë më shumë, ku tarifa për certifikatën e pronësisë do të kushtojë 3 mijë lekë ose dyfishin e tarifës së mëparshme. Edhe për konsultim të kartelës së pasurisë së paluajtshme dhe verifikim online i gjendjes juridike të pronësisë dhe të dhënave të tjera të pasurisë së paluajtshme do të duhet të paguhesh nga 1 mijë lekë./syri


