Një dëshmi e re nga Nuredin Dumani ka nxjerrë në pah dinamikën e brendshme dhe tradhtitë brenda botës së krimit, duke treguar se besa dhe besnikëria shiten për para. Sipas Dumanit, në luftën mes bandave, tradhtia shërben si mjet kryesor për mbijetesë dhe fitime të shpejta. Ai tregon se Ardian Çollaku, një nga njerëzit më të afërt të Talo Çelës, ishte rekrutuar nga kundërshtari i tij, Erjon Alibej, në shkëmbim të pagesave.
Në dëshminë e tij, Dumani shprehet se Ardian Çollaku i jepte informacion të vlefshëm për lëvizjet e Talo Çelës. “Ardiani na jepte shumë fare informacion për Talon. Edhe për aq herë sa e kemi pas ne informacionin për Talo Çelën, i merrnim vetëm nga Ardiani,” tha ai.Deshmia –
Pazari i fshehtë dhe mosbesimi reciprok
Dëshmia e Dumanit zbulon një lojë të dyfishtë. Edhe pse ai kishte lidhur besë me Erjon Alibejnë për të vepruar së bashku kundër armiqve, Alibej nuk i besonte plotësisht. Dumani tregon se kishte zbuluar më pas se Alibej dhe një tjetër personazh i botës së krimit, Eljo Bitri, kishin komunikuar fshehurazi pa dijeninë e tij. “Ato kishin frikë gjatë gjithë kohës, shiko se mos na vrasë ky ne. Pra kishte frikë, Erjoni mos e vras unë…”- tregon Dumani.
Për pasojë, edhe kur u krijua mundësia perfekte për të ekzekutuar Talo Çelën, i cili ndodhej në shtëpinë e Eljo Bitrit, vrasja nuk ndodhi. Bitri, i trembur se tradhtia e tij do të zbulohej, refuzoi t’i hapte rrugë atentatit, duke u thënë: “Aman vlla jo sonte, se do ta nxjerr unë në pritë Talo Çelën.” Më pas, ai u kishte dhënë informacione të rreme, duke konfirmuar mosbesimin dhe tradhtinë mes tyre.
Ekzekutimi i Çollakut dhe Bitrit
Tradhtia e fshehtë e Ardian Çollakut, i cili shiste informacion për Talo Çelën, përfundoi tragjikisht për të. Ai u ekzekutua së bashku me vëllanë e Eljo Bitrit më 4 tetor 2021, pranë një karburanti. Makina e autorëve u dogj në Bradashesh, afër banesës së Talo Çelës. Kjo vrasje mbetet ende e pazbardhur nga autoritetet, duke lënë pas shumë pyetje për atë se kush qëndron prapa eliminimit të tyre. Dëshmia e Dumanit e bën të qartë se në këtë botë, askush nuk është i sigurt dhe se çdo lëvizje është e mbushur me rrezik.