Kryeministri Rama ka reaguar në Facebook pas protestës së zhvilluar pranë Kryeministrisë, ku një kioskë u dogj plotësisht.
Në mesazhin e tij, ai shpreh solidaritet me familjet që kanë humbur mundin dhe djersën e tyre, ndërsa situatën e krijuar e lidh me atë që e cilëson si një përpjekje qorre të opozitës, duke theksuar se kjo situatë nuk ka lidhje me studentët.
“Kjo është gërmadha e jetës, e punës, e mundit, e djersës, e ëndrrave dhe shpresave të një familjeje të zakonshme, të prindërve të zakonshëm që hapin derën për të çuar në mbrëmje të ardhurat dhe për të shtruar tryezën me ndershmëri.
Dua t’u them të gjithë atyre që janë me lot në sy përballë gërmadhave të ngjashme se nuk janë vetëm, sepse sapo kjo flamë të kalojë, ne do të jemi prapë aty bashkë. Dua t’u them se përballuam një tërmet të llahtarshëm me pasoja shumë të mëdha dhe ia dolëm së bashku.
Kjo që po ndodh nuk ka lidhje me studentët. Kjo është dora që ka kapur për fyti opozitën shqiptare. Në këtë luftë qorre, këta nuk janë studentët, as ata që marrin peng qytetin gjatë ditës. Si mund të nxiten të miturit në rrugë, të shkulin trotuaret dhe të qëllojnë policinë? Kjo është dora e vjetër që e ka ndjekur Shqipërinë prej shekujsh, janë duart e huaja që nuk e duan Shqipërinë të jetë e lirë, dhe të jetojë së bashku me Europën.
Nuk është rastësi që sapo Shqipëria afrohet më shumë drejt atij objektivi historik, këtu plas flaka. E gjithë kjo që po ndodh është sprovë, është një test i yni, që ne do ta kalojmë së bashku’ tha Rama.