Gazetari i njohur investigativ, Artan Hoxha ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me dosjen e “21 Janarit”, teksa tha se shteti shqiptar ka dashur ta josh familjen e një nga viktimave, Aleks Nikës, duke i ofruar atyre një shumë të konsiderueshme parash që shkojnë deri në miliona euro. Sipas Hoxhës, shteti shqiptar ka dashur të prishë provat, të pengojë gjykatën të japë drejtësi.
“Për fat të keq jemi 15 vite mbrapa dhe 15 vite pa drejtësi. Më e keqja është fakti që nuk kemi një afat se kur do të mbarojë edhe kjo që ka nisur. Kur ka ndodhur ngjarja, Aleks Nika ishte baba i 2 vajzave. Sot vajzat e tij janë adoleshente, bashkëshortja e tij ka bërë një betejë me organet e drejtësisë dhe shtetin shqiptar, që është përpjekur ta joshë, që të heqë dorë nga kërkesa për drejtësi.
Është bërë e njëjta gjë edhe kur shkuan në Strasburg. Ishte shumë trishtuese fakti që avokatura e shtetit shqiptar donte ta joshte familjen Nika me dëmshpërblime me miliona euro, por ata këmbëngulën, bënë një betejë atje dhe fituan. Gjykata e Strasburgut ka dhënë një vendim që duhet ta jepte qeveria, është një vrasje dhe krim shtetëror. Shteti shqiptar ka dashur të prishë provat, të pengojë gjykatën të japë drejtësi.
Gjykata në Strasburg, nga dëshmia e familjes Nika, dha atë vendim që vuri Gjykatën Shqiptare me shpatulla pas murit. Të njëjtët aktorë politikë janë sërish në lojë, ai që ishte brenda godinës është jashtë dhe ai që ishte jashtë u fut brenda, ndryshuan vendet”, deklaroi ai në një media.
Vrasja e protestuesve
Ndërkohë gazetari Artan Hoxha ka dhënë dëshmi të detajuara mbi atë që ai e cilëson si një masakër të kryer me urdhër shtetëror sa i takon asaj që ndodhi në 21 janar 2011. Sipas tij, ekzekutimi i katër protestuesve në bulevard ka ndodhur brenda vetëm shtatë deri në tetë sekondave, duke treguar qartë se nuk bëhet fjalë për një reagim spontan, por për veprim të qëllimshëm.
Hoxha thekson se masakra e “21 Janarit” është një nga ngjarjet më të dokumentuara në historinë e vendit, e filmuar dhe monitoruar nga dhjetëra media dhe institucione ndërkombëtare, por megjithatë drejtësia nuk është vendosur.
Ai kujton se hetimet fillestare u penguan, provat u manipuluan dhe disa prej tyre u zhdukën, gjë që më pas u konfirmua edhe nga ekspertiza ndërkombëtare. Sipas gazetarit, vendimi i
Gjykatës së Strasburgut e ka certifikuar përfundimisht 21 Janarin si krim shtetëror, duke vërtetuar se përdorimi i forcës vdekjeprurëse dhe pengimi i hetimit janë kryer nga strukturat më të larta të shtetit.
Ai thekson se serverë të rëndësishëm dhe dokumentacion kyç janë zhdukur, ndërsa zinxhiri komandues i Gardës nuk është hetuar kurrë deri në fund. Artan Hoxha shpjegon se audioregjistrimi i publikuar prej tij, i cili përfshin komunikimet në radion e komandantit të Gardës, është prova që çoi në rihapjen e çështjes.
Nëpërmjet këtij materiali, sipas tij, dëgjohet qartë momenti kur për disa sekonda shpërthen zjarri dhe ndodh masakra. Ai thekson se viktimat janë qëlluar nga distanca të ndryshme dhe në pozicione të shpërndara, çka tregon një perde zjarri të qëllimshme dhe jo një përplasje aksidentale.
Sipas Hoxhës, në momentin e vrasjeve protesta ishte drejt shuarjes, çka e bën edhe më të qartë karakterin e paramenduar të aktit. Gazetari bën të ditur se ka dëshmuar për rreth katër orë në SPAK, ku ka dorëzuar materialin audio dhe ka shpjeguar detajet e komunikimeve në radio.
Ai nënvizon se tashmë SPAK ka mundësinë ligjore dhe institucionale për të hetuar zinxhirin e plotë të përgjegjësisë, përtej gardistëve që kanë shtënë. Sipas tij, dy prej vrasjeve nuk mund të rigjykohen për shkak të vendimeve të mëparshme minimale, por dy të tjerat mbeten ende të hapura dhe përbëjnë shansin e fundit për drejtësi.
Artan Hoxha thekson se kjo është mundësia e fundit për të zbardhur plotësisht 21 Janarin dhe për t’u dhënë familjarëve të viktimave një ndjenjë minimale drejtësie dhe çlirimi moral.
