Një video prekëse e publikuar në rrjetet sociale ka shkaktuar zemërthyerje tek publiku, duke shfaqur momentet dramatike kur reperi Gjesti, fituesi i “Big Brother Albania”, mëson lajmin e hidhur të vdekjes së vëllait të tij, Eldion Kelmendi.
Pamjet janë realizuar pranë vendit të aksidentit në fshatin Qungur të Pejës, ku Eldioni humbi jetën tragjikisht pas një përplasjeje fatale mes motorit të tij katërrotësh dhe një veture. Në video, Gjesti shihet thellësisht i tronditur dhe i shkatërruar, ndërsa mbahet nga familjarë dhe miq, të cilët përpiqen ta mbështesin në këto momente të rënda.
Ngjarja e rëndë ka shkaktuar dhimbje të madhe në familjen Kelmendi dhe ka nxitur një valë mesazhesh ngushëllimi dhe solidariteti në rrjetet sociale. Një person tjetër i përfshirë në aksident, Kadri Berisha, raportohet se ndodhet në gjendje kritike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Policia e Kosovës ka nisur menjëherë hetimet për të zbardhur shkaqet e sakta të këtij aksidenti fatal.