jë ngjarje e rëndë e ndodhur më 13 prill në Durrës ka marrë kthesë tragjike, pasi familja e Sajmir Markja pretendon se për katër ditë autoritetet dhe dëshmitarët e trajtuan vdekjen e tij si arrest kardiak, ndërkohë që pamjet filmike zbuluan se ai ishte dhunuar brutalisht.
Vëllai i viktimës, Mentor Markja, rrëfeu në emisionin Top Story se familja mësoi të vërtetën vetëm më 17 prill, pasi siguruan pamjet e kamerave të sigurisë.
Në pamjet filmike, viktima dëgjohet duke thënë se “nuk kishte sharë”, ndërsa largohej nga ambienti. Por sapo ka dalë jashtë servisit, ai dyshohet se është sulmuar nga Gentjan Kraja, i cili sipas familjarëve e goditi duke e rrëzuar në tokë dhe vijoi ta dhunonte edhe pasi kishte humbur ndjenjat.
Dyshimet u shtuan kur familjarët nisën të kërkonin sendet personale të viktimës, përfshirë orën që ai mbante gjithmonë me vete. Sipas rrëfimit, personat që ndodheshin në servis i orientonin në vende të ndryshme dhe nuk jepnin sqarime të qarta për momentin kur ai kishte humbur ndjenjat.
Mentor Markja deklaroi se vëllai i tij u godit rëndë në kokë dhe nofull, ndërsa shtoi se në momentin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm edhe persona të tjerë që e kanë parë të gjithë episodin.
