Skip to content

Përplasje mes “KOKAVE” në burgun e Peqinit

Burgu i sigurisë së lartë në Peqin është bërë skenë e një përplasjeje mes dy të paraburgosurve me lidhje familjare me emra të njohur të botës së krimit. Në qendër të konfliktit janë Julian Gjoshi, kunati i Altin Hajrit, dhe Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth një javë më parë, në ambientet e përbashkëta të institucionit penitenciar, ku dy të paraburgosurit janë përfshirë në një konflikt verbal që më pas ka përshkallëzuar në dhunë fizike.

Lexo gjithashtu:  “Ti mund të fitosh më shumë po të luash me mua”, del SMS e Fatos Nanos, si u tentua të “blihej” Lezha nga PS-ja; gazetari i njohur: Kërkoi arrestimin tim në Kuvend

Sipas burimeve, Julian Gjoshi i është afruar Vullnet Muçës dhe e ka goditur, ndërsa rrethanat dhe motivet e përplasjes mbeten ende të paqarta.

Incidenti ka marrë vëmendjen e autoriteteve të burgut dhe, sipas të njëjtave burime, rasti është referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.

Përplasja merr vëmendje të veçantë për shkak të lidhjeve familjare të personave të përfshirë. Julian Gjoshi është kunati i Altin Hajrit, një emër i njohur për organet e drejtësisë, ndërsa Vullnet Muça është vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur si “Rrumi i Shijakut”.

Lexo gjithashtu:  Artan Hoxha zbulon EMRIN: Ja kush është shqiptari që futi për një muaj 32 ton

Ky i fundit është një personazh i përmendur në disa dosje të bujshme kriminale dhe i mbijetoi atentatit të ndodhur pranë mbikalimit të Shkozetit, ku mbeti një person i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën, njëri prej tyre deputeti i PD, Arjan Ndoja.

Ndërkohë, Vullnet Muça është nën akuzë nga SPAK për përfshirje të dyshuar në një skemë të gjerë tjetërsimi pronash në zonën e Gjirit të Lalzit. Në të njëjtën çështje është përfshirë si i akuzuar edhe vëllai i tij, Aleksandër Laho.

Lexo gjithashtu:  Taulant Balla paralajmëron Erion Braçen dhe Vullnet Sinajn: Nëse votoni kundër reformës, e dini vendimin …

Për momentin, nuk ka të dhëna që konflikti në burgun e Peqinit të ketë lidhje me përplasjet apo çështjet penale të personave me të cilët dy të paraburgosurit kanë lidhje familjare.

Mbetet për t’u zbardhur se çfarë e shkaktoi konkretisht incidentin dhe nëse ndaj personave të përfshirë do të merren masa të mëtejshme. Petravu.com

Published inLAJMI