Qeveria e re laburiste në Britaninë e Madhe pritet të njoftojë këtë muaj plane për futjen e kartave digjitale të identitetit, një masë e shumëdebatuar që synon të godasë emigracionin ilegal. Lajmi, i raportuar nga gazeta britanike Financial Times, konfirmon spekulimet e gjata për këtë nismë, e cila ka për qëllim forcimin e kontrollit mbi statusin e banorëve dhe punëtorëve në vend.
Sipas burimeve, një nga modelet e konsideruara parashikon që çdo shtetas britanik dhe person me status të ligjshëm rezidence do të pajiset me një kartë digjitale. Ndryshe nga shtetet e tjera europiane, britanikët nuk kanë pasur kurrë karta identiteti, përveç pasaportës. Një përpjekje e ngjashme nga ish-kryeministri Tony Blair në vitet 2000 dështoi, por qeveria e Kryeministrit Keir Starmer duket e vendosur për të shkuar përpara.
Këto karta pritet të përdoren për të verifikuar statusin ligjor të individëve në sektorë kyç si punësimi, strehimi dhe shërbimet shëndetësore. Përmes verifikimeve, autoritetet do të mund të zbulojnë personat që jetojnë dhe punojnë në mënyrë të paligjshme, duke përfshirë një numër të madh shqiptarësh dhe emigrantësh nga kombësi të tjera. Kjo do të vështirësojë marrjen me qira të një shtëpie apo marrjen e shërbimeve mjekësore falas në spitale, pa pasur dokumentacionin e nevojshëm.
Kryeministri Starmer beson se kartat digjitale do të luajnë një rol të rëndësishëm në “pakësimin e atraksionit të Britanisë si një destinacion ku emigrantët mund të vijnë të jetojnë dhe punojnë ilegalisht”. Sipas një sondazhi të cituar nga Financial Times, 53% e britanikëve janë në favor të këtij sistemi, ndërsa 20% janë kundër. Megjithatë, mbetet një sfidë e madhe lufta kundër përdorimit të kartave të identitetit false nga vendet e tjera europiane, një praktikë e përhapur mes emigrantëve ilegalë.
Nisma e re është e ngjashme me një tjetër projekt të fundit qeveritar, krijimin e një aplikacioni për shërbimet publike, duke ndjekur një model digjitalizimi të ngjashëm me sistemin e-Albania në Shqipëri.