Java që sapo ka nisur do të vijojë me kushte të qëndrueshme dhe tipike të muajit dhjetor, ndërsa nga mesi i saj pritet ndryshimi i parë i ndjeshëm i motit. Meteorologia Tanja Porja ka bërë të ditur se vendi do të përballet me kthimin e reshjeve, si shiu ashtu edhe dëbora, por në intensitet të ulët.
Sipas Porjas, mëngjeset e kësaj jave do të jenë relativisht të ngrohta për këtë periudhë të vitit, ndërsa temperaturat do të shënojnë një rritje graduale, duke u rikthyer në parametrat e zakonshëm të dhjetorit. Ajo theksoi se ndryshimi i masave ajrore do të sjellë një mot më të lagësht që nga dita e mërkurë.
“Mëngjes i ngrohtë, megjithatë kjo javë do të jetë në kushtet normale të muajit dhjetor. Presim rritje graduale të vlerave termike, por reshjet rikthehen në mesjavë — reshje shiu dhe dëbore, por fatmirësisht të pakta,” u shpreh meteorologia.
Porja shtoi se gjatë ditës së sotme dhe asaj të nesërme, vendi do të ndikojë nga një erë jugore, e cila paralajmëron ngrohje të lehtë të motit dhe krijon premisa për rikthimin e reshjeve. Vranësirat do të jenë të dukshme në të gjithë territorin, duke u shtuar gradualisht deri në mesjavë.
Temperaturat, sipas saj, do të variojnë nga 0°C deri në 18°C, me një rritje të lehtë të vlerave të mëngjesit krahasuar me ditët e mëparshme.
Ky ndryshim i motit vjen karakteristik për muajin dhjetor, ndërsa reshjet pritet të jenë të përkohshme dhe me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit.