Ajo ka qenë një këngëtare e dashur për publikun shqiptar në fillim të viteve ‘80-90 në zhanrin e muzikës së lehtë. Ka moderuar programe të ndryshme në RTSH ku ka spikatur për ëmbëlsinë e saj në portret dhe artikulim, si dhe për veshjet elegante e të guximshme për kohën.
Prej 20 vitesh Mimoza Selimi është larguar nga Shqipëria dhe ka ndërtuar jetën e saj në Zvicër, por pas dy dekadash ajo ka sjellë dy këngë të reja. Në studion e programit “Rudina” në Tv Klan ajo thotë se frymëzimi erdhi në një periudhë pas humbjeve të forta në familjen e saj që e kanë shenjuar.
Mimoza Selimi: Më në fund pas kaq kohësh që unë jam larguar dhe arsyet e humbjes së dy vëllezërve dhe babait që ishin njëra pas tjetrës, ishin humbje tepër të mëdha që mua më shkatërruan, nuk kam fjalë dhe nuk dua ta përsëris shpeshherë këtë gjë, nuk kisha më dëshirë jo të këndoja, por edhe jeta për mua, ndihesha në faj.
“Ju kam pranë” titullohet kënga e dytë që është dedikim pikërisht për babain dhe vëllezërit. Në videoklip, Mimoza shoqërohet nga nëna e saj.
Mimoza Selimi: Kjo është kënga që më rrinte çekan mbi kokë, t’i bëja një dedikim babait tim dhe vëllezërve të mi që kanë qenë jo vetëm familja ime, por kanë qenë miqtë e mi më të mirë, njerëzit që nuk ma kanë lëshuar kurrë dorën, që falë tyre kam kapërcyer vështirësi të jashtëzakonshme, që më kanë inkurajuar, që kanë qenë këtu për të më thënë ne jemi këtu, nuk të lëshojmë, ti ndiqe ëndrrën dhe ky është një fat i jashtëzakonshëm.
Ikja e tyre për mua ka qenë një humbje që nuk gjej fjalë, që edhe sot e kësaj, edhe pse vëllai i parë imi, Berti, iku në 2010 kur ishte vetëm 50 vjeç, babai iku 2 vjet më vonë, pastaj vëllai i dytë iku 55 vjeç dhe ishin njëra pas tjetrës që merrja goditje të tmerrshme dhe çdonjëri prej tyre e merrte një pjesë të shpirtit tim me vete dhe është një dhimbje si një valixhe transparente që e mbaj mbi kurriz gjithë kohën dhe më shoqëron.
Ata ishin dhe mbeten forca, krenaria ime dhe jetoj për t’i kujtuar, kështu që ajo këngë është një lehtësim i shpirtit tim që duhet ta bëja patjetër.
“Ju kam pranë” është një prej këngëve që rikthen Mimoza Selimin në muzikë pas më shumë se dy dekadash. Një këngë për humbjet e forta në jetën e saj që kanë ndodhur jo shumë kohë larg njëra-tjetrës, të babait e dy vëllezërve.
Në videoklipin e kësaj kënge, Mimoza shoqërohet nga nëna e saj dhe në programin “Rudina” në Tv Klan, ndan emocionet e forta që i kanë përshkruar të dyja. Pranimi i së ëmës nuk ishte i lehtë, derisa më në fund e bindi që do të mbetej një kujtim i përhershëm.
Mimoza Selimi: Iu luta sepse më thoshte nuk bëhet. I thashë ma, të lutem, ti e di që kënga është për babin, Bertin dhe Ladin dhe unë do të dëshiroja për ne që jemi këtu, për nipërit, për ata që do të vijnë është një imazh yti që do të ngelet. E preka dhe më erdhi shumë keq sepse përdora në fakt një dhimbje dhe më tha do të vij. Kur kemi filluar xhirimet, është e çuditshme, nëna ime sikur është rritur para kamerave dhe në një moment që po ecnim, e pashë që po dridhej, i kapa dorën dhe më thotë nuk jam mirë.
Mimoza thotë se nëna pati një problem shëndetësor, por u stabilizua shpejt. Ajo tregon edhe për raportin e prindërve të saj duke kujtuar edhe një shprehje të babait të ndjerë.
Mimoza Selimi: Ime më ka qenë princeshë në krahët e babait tim tërë jetën. Çdo femër do ta ëndërronte një marrëdhënie të tillë të respektit, të dashurisë sepse babai im thoshte po nuk pati respekt, nuk mund të ketë dashuri.
