Një lajm i kobshëm është mësuar së fundmi pasi është ndarë nga jeta, një nga figurat më të shquara të mjekësisë shqiptare, ish-shefi i Okulistikës së QSUT-së njëherazi profesori i Fakultetit të Mjekësisë Sulejman Zhugli.
Lajmi i trishtë u mësua nga reagimi i bërë në Facebook të faqes së Fakultetit të Mjekësisë ku shkruhej se ka mbyllur sytë përgjithmonë një nga personalitetet më të shquara të mjekësisë shqiptare i cili për dekada radhazi shërbeu me përkushtim në fushën e mjekësisë dhe të arsimit.
“Fakulteti i Mjekësisë shpreh hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të Profesor Sulejman Zhuglit dhe i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit mjekësor.
Profesor Zhugli ishte një personalitet i shquar i mjekësisë shqiptare, i cili për dekada me radhë i shërbeu me përkushtim profesionit dhe arsimit mjekësor. Si ish-Shef i Shërbimit të Okulistikës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ai dha një kontribut të çmuar në zhvillimin e okulistikës shqiptare, duke formuar breza të tërë mjekësh dhe specialistësh” shkruhet në postimin e bërë nga Fakulteti i Mjekësisë.
Sakaq mësohet se Zhugli, 3 ditë para s etë mbyllte sytë përgjithmonë kishte festuar ditëlindjen e tij. Detaj i cili u konfirmua nga reagimi i bërë nga miku i tij Hektor Toska.
“E takova pardje në mëngjes këtu në Golem. E kisha uruar përpara një ore me mesazh, pasi ishte dita e lindjes së tij. Një djalosh simpatik me trasta ne duar e shoqëronte. Ja Hektor i dashur, më tha, ky djalosh më ndihmon të shpie ne shtëpi këto trastat. Nuk kam fuqi, mosha bën të vetën. E përqafova. Ka akoma njerëz të mirë në këtë botë, vazhdoi Profesori, djem e vajza të reja, të bukur e të edukuar… Dhe më hodhi duart në qafë, si për të më thënë: ‘Ika, s’kam kohë!’” shkruan Toska në postimin e bërë ditën e djeshme.
Newsbomb.al i shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve për humbjen e kolegëve të Sulejmanit.
Reagimi i plotë i Fakultetit të Mjekësisë:
Fakulteti i Mjekësisë shpreh hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të Profesor Sulejman Zhuglit dhe i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit mjekësor.
Profesor Zhugli ishte një personalitet i shquar i mjekësisë shqiptare, i cili për dekada me radhë i shërbeu me përkushtim profesionit dhe arsimit mjekësor. Si ish-Shef i Shërbimit të Okulistikës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ai dha një kontribut të çmuar në zhvillimin e okulistikës shqiptare, duke formuar breza të tërë mjekësh dhe specialistësh.
Me një karrierë të pasur pedagogjike, shkencore dhe profesionale, Profesor Zhugli u dallua për përkushtimin ndaj studentëve, standardet e larta akademike dhe angazhimin e vazhdueshëm në përhapjen e dijes. Si autor i teksteve universitare dhe botimeve profesionale, ai la pas një trashëgimi të vyer që do të vazhdojë t’u shërbejë brezave të ardhshëm.
Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në mendjet dhe zemrat e studentëve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën privilegjin ta njohin dhe të punojnë pranë tij.
U prehsh në paqe, Profesor!
I paharruar qoftë kujtimi Juaj!
Reagimi i Hektor Toskës:
Sapo mësova që ka mbyllur sytë e bukur Profesor Sulejman Zhugli, për një kohë të gjatë Shef i Sherbimit të Okulistikës në QSUNT-Tiranë, pedagog, udheheqes doktoraturash, kirurg me emer, me mbi 200 mije operacione, në 50 vjet pune të palodhur. Gjithmonë i thjeshtë e komunikues, siç janë përgjithësisht burrat e mençur.
E takova pardje në mëngjes këtu në Golem. E kisha uruar përpara një ore me mesazh, pasi ishte dita e lindjes së tij. Një djalosh simpatik me trasta ne duar e shoqëronte. Ja Hektor i dashur, më tha, ky djalosh më ndihmon të shpie ne shtëpi këto trastat. Nuk kam fuqi, mosha bën të vetën. E përqafova. Ka akoma njerëz të mirë në këtë botë, vazhdoi Profesori, djem e vajza të reja, të bukur e të edukuar… Dhe më hodhi duart në qafë, si për të më thënë: “Ika, s’kam kohë!”
E perqafova edhe unë fort, fort. Dhe u ndamë…
Çudi, nisa të mendoja, Profesori nuk të ndahet pa fiksuar një datë tjetër takimi! Mbase ishte i lodhur. Mbase qe i shqetësuar për drekën. Vallë do t’i vinin të gjithë të dashurit e zemrës? … Përpara kisha sytë e tij të bukur.
U prehsh në paqe, Profesor! Dyqindmijë palë sy do të përloten sot, në largimin tënd!
