TIRANË — Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në prezantimin e platformës Startup Albania, një nismë e re për të mbështetur sipërmarrjet inovative dhe kreativitetin e të rinjve. Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te përparimet e Shqipërisë në digjitalizim dhe ofrimin e shërbimeve publike online, duke prekur edhe tema me nota humori.Rama shprehu sfidën e gjetjes së një zgjidhjeje për realizimin e martesave online, duke thënë: “Ende nuk kemi zgjedhur problemin e martesave online. Kjo është diçka që ende nuk e kemi plotësuar, duke qenë se na duhen dëshmitarët. Mbase edhe mund ta bëjmë.”
Pas kësaj deklarate, profesori amerikan William P. Barnet e pyeti me humor nëse do të ishte e mundur të realizoheshin divorcet online. Me një batutë, Kryeministri u përgjigj se divorcet janë më të thjeshta se martesat. “Besoj fort se divorcet, se unë nga përvoja kam pasur disa, janë më të thjeshta se sa martesa, sepse bëhen në WhatsApp pastaj formalizohen në sallën e gjyqit. Këto janë bekime që mundësohen nga teknologjia,” tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama njoftoi gjithashtu se së shpejti do të krijohet Këshilli Kombëtar i Inovacionit, një institucion i ri që do të shërbejë si një shtytës për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të teknologjisë dhe inovacionit në vend.