Një tërmet me magnitudë 5.2 të shkallës Rihter është regjistruar sot pak para mesditës në Detin Mesdhe, në një zonë pranë Maltës. Lëkundja ndodhi në orën 11:55 dhe u ndje nga banorët e ishullit, por nuk ka shkaktuar dëme materiale apo lëndime.
Sipas të dhënave të Qendrës Europiane të Sizmologjisë (EMSC), epiqendra e tërmetit ishte rreth 247 kilometra në juglindje të Vallettas, kryeqytetit të Maltës, dhe 250 kilometra në juglindje të Birkirkarës.
Banorët e Maltës kanë komentuar në platformën e EMSC, duke thënë se i kanë ndjerë lëkundjet për rreth 10 sekonda. Lëkundjet kanë qenë të lehta dhe nuk kanë shkaktuar panik të madh.
Në këto momente, autoritetet po monitorojnë situatën, por deri tani nuk ka raportime për situata emergjence. Rajoni i Mesdheut Qendror është një zonë sizmike aktive, ku lëkundje të tilla ndodhin herë pas here, por zakonisht pa pasoja shkatërrimtare.