Një kamion që shpërndante pije freskuese ra në një gropë të madhe në Meksiko Siti, duke shkaktuar habi dhe shqetësim tek banorët, por fatmirësisht pa lënduar askënd. Ngjarja ndodhi të shtunën në Iztapalapa, zona më e populluar e kryeqytetit meksikan.
Kamioni u zhyt me pjesën e pasme në gropën e madhe që u hap papritur në rrugë. Pesha e automjetit e përkeqësoi situatën, duke e zhytur atë edhe më thellë. Pamjet e incidentit u shpërndanë shpejt në rrjetet sociale, duke dëshmuar për përmasat e ngjarjes.
Kryetarja e bashkisë së Iztapalapës, Aleida Alavez, vizitoi zonën e aksidentit dhe theksoi në një postim në X se “nga këqyrja paraprake del se sistemi i kanalizimeve, i cili është shumë i vjetër, është shembur.” Autoritetet lokale po punojnë për të siguruar zonën dhe për të nxjerrë kamionin, ndërsa po bëhen përpjekje për të rikthyer normalitetin në qarkullim.