TIRANË — Mbledhja e Komisionit të Ligjeve në Bashkinë e Tiranës, e planifikuar për sot, është shtyrë për paraditen e së martës, në orën 10:00. Burime pranë medias bëjnë me dije se ky Komision pritet të fusë në rend dite të Këshillit Bashkiak shkarkimin e kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj.
Ky zhvillim vjen pas kërkesës së vetë Veliajt drejtuar anëtarëve të Këshillit Bashkiak, ku kërkon të jetë i pranishëm në mbledhjen ku do të diskutohet fati i tij. Në kërkesën e tij, Veliaj argumenton se mungesa e tij në detyrë për më shumë se gjashtë muaj nuk është vullnetare, por pasojë e një mase sigurie që ai e konsideron “disproporcionale”. Ai ka theksuar se do ta kundërshtojë këtë vendim në çdo instancë gjyqësore, duke përfshirë edhe Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Deri më tani, këshilltarët socialistë nuk kanë marrë asnjë vendim lidhur me kërkesën e kryebashkiakut Veliaj. Mbledhja e së martës pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e kryebashkiakut të Tiranës.