VLORË — Një mbledhje e Këshillit Bashkiak të Vlorës u ndërpre papritur këtë të hënë nga një protestë e papritur. Një i ri, i dëshpëruar nga situata e tij, ndërhyri në takimin e këshilltarëve, duke ngritur zërin për një problem që ka mbetur pa zgjidhje prej vitesh.
Së bashku me një person tjetër, ai hyri në ambientet e sallës ku po mbahej takimi dhe iu drejtua drejtpërdrejt zyrtarëve, duke kërkuar të drejtën e tij.
Ankesa e qytetarit: “Kam 5 vjet dhe nuk po na shpronëson asnjë”
I riu tha se banesa e tij, e ndodhur pranë portit detar, ishte shembur në kuadër të një projekti rehabilitues, por ai nuk ka marrë ende asnjë kompensim financiar.
“Kam 5 vjet dhe nuk po na shpronëson asnjë. Jetoj te Porti, tani jam pa banesë. Ma kanë prishur shtëpinë dhe lekët nuk mi kanë dhënë,” tha ai me zë të lartë, duke shprehur zhgënjimin e tij ndaj zyrtarëve.
Ai shtoi se ky nuk është një rast i izoluar, por një problem që prek një numër të madh familjesh në zonë. “Si puna jonë është e gjithë lagjia, rreth 25 veta,” tha qytetari, duke e cilësuar si “skandaloze” pritjen e gjatë dhe mungesën e përgjigjeve nga autoritetet. Ai denoncoi se zyrtarët i anashkalojnë duke thënë se kanë mbledhje, ndërkohë që ai dhe familja e tij janë në mes të katër rrugëve.
Ndërhyrja e Policisë
Pas ndërhyrjes së qytetarit, në vendngjarje mbërriti menjëherë Policia e Shtetit. Forcat e rendit shoqëruan dy të rinjtë në stacionin e policisë, duke bërë të mundur largimin e tyre nga ambientet e Këshillit Bashkiak dhe rikthimin e qetësisë në mbledhje.
Ky incident vë në pah tensionet sociale që shkaktohen nga proceset e shpronësimit për projekte zhvillimi, kur premtimet për kompensim nuk mbahen, duke lënë qytetarët pa shtëpi dhe pa një zgjidhje financiare.