Delegacioni i Bashkimi Evropian në Shqipëri ka reaguar lidhur me situatën e rënduar që vendi ynë po përjeton prej dy ditësh si pasojë e motit të keq dhe reshjeve intensive, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të territorit.
Në reagimin zyrtar, Delegacioni i BE-së bën me dije se po ndjek nga afër dhe me shqetësim zhvillimet e situatës në Shqipëri, ndërsa thekson se strukturat evropiane janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare për menaxhimin e emergjencës.
Sipas njoftimit, Drejtoria e Përgjithshme për Mbrojtjen Civile Evropiane dhe Operacionet e Ndihmës Humanitare (DG ECHO) është në kontakt të ngushtë me institucionet përgjegjëse në vend dhe po shkëmben informacion të vazhdueshëm, përfshirë edhe imazhe dhe të dhëna të detajuara të siguruara nga sateliti Copernicus, me qëllim monitorimin e situatës në terren.
Delegacioni i BE-së thekson se, në bashkëpunim me shtetet anëtare, Unioni Evropian është i gatshëm të ofrojë mbështetje konkrete për popullin shqiptar në përballimin e pasojave të motit ekstrem. Kjo mbështetje, sipas reagimit, mund të realizohet edhe përmes aktivizimit të Mekanizmi i Mbrojtjes Civile i Bashkimit Evropian, nëse situata e kërkon një ndërhyrje të tillë.
Autoritetet evropiane riafirmojnë angazhimin e tyre për solidaritet dhe bashkëpunim me Shqipërinë në raste emergjencash natyrore, duke garantuar se situata do të vijojë të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme edhe në ditët në vijim.
