Erlind Sulo është emëruar zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, zyrtarizohet largimi Shkëlqim Hajdarit
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, qeveria ka miratuar një sërë vendimesh që prekin nivelet e larta të administratës publike dhe pushtetin vendor, duke emëruar dhe liruar figura kyçe në disa institucione.
Erlind Sulo është emëruar zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai ka mbajtur më parë drejtimin e Agjencisë së Konkurencës dhe Biznesit, si dhe të Korporatës Elektro-Energjetike Shqiptare. Sulo ka qenë gjithashtu drejtues i FRESH në Sarandë dhe më pas është emëruar drejtor i Parkut të Butrintit, duke ndjekur një karrierë të shpejtë brenda strukturave të pushtetit.
Lëvizje ka patur edhe në krye të Bibliotekës Kombëtare, ku Piro Misha është liruar nga detyra. Emri i pasuesit të tij ende nuk është bërë publik, ndërkohë që largimi i tij vjen në një moment kur institucioni ndodhet në proces riorganizimi.
Në frontin e pushtetit vendor, prefektura e Durrësit dhe ajo e Korçës janë prekur nga ndryshime. Emiljan Jani është liruar nga detyra si prefekt i Durrësit dhe në vend të tij është emëruar Adrian Gurra. Ndërkohë, në Korçë është liruar nga detyra Nertil Jole, për t’u zëvendësuar nga Florinda Zegullaj.
Ndërkohë, Shkëlqim Hajdari është liruar nga detyra si Inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Përgjithshëm, një pozicion me rol mbikëqyrës në zbatimin e ligjit dhe etikës në administratë.
