Të paktën 11 persona kanë mbetur të plagosur pas një shpërthimi të fuqishëm që ka ndodhur gjatë festimeve të karnavaleve në Chamblee, në rajonin e Valais, në jugperëndim të Zvicra.
Sipas informacioneve paraprake nga autoritetet lokale dhe raportimeve të mediave zvicerane, shpërthimi ka qenë i fortë dhe ka shkaktuar panik mes pjesëmarrësve në aktivitetin festiv, ku ishin mbledhur dhjetëra qytetarë për të festuar karnavalet.
Ende nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar shpërthimin, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë detaje nëse bëhet fjalë për një incident aksidental apo për ndonjë element tjetër të rrezikshëm.
Të plagosurit janë transportuar menjëherë drejt spitaleve të zonës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa disa prej tyre raportohet se kanë pësuar lëndime nga fragmentet dhe vala e shpërthimit.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të policisë, ekipe zjarrfikëse dhe shërbime emergjente, të cilat kanë izoluar zonën dhe kanë ndërhyrë për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Autoritetet zvicerane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa zona ku u zhvilluan festimet mbetet nën kontroll të rreptë deri në përfundimin e verifikimeve. Për momentin, nuk raportohet për viktima në njerëz, por bilanci i të plagosurve mund të ndryshojë në orët në vijim.
