Kriza e karburantit ka goditur disa aeroporte italiane, duke sjellë kufizime të ndjeshme në furnizimin e avionëve.
Aeroporti i Brindisit ka mbetur pa karburant deri në mesditën e sotme, ndërsa furnizimi është i rezervuar vetëm për fluturime urgjente, shtetërore dhe mjekësore.
Kjo nënkupton që avionët që mbërrijnë në Brindisi duhet të kenë karburant të mjaftueshëm për fluturimin e kthimit, pasi nuk mund të furnizohen në vend.
Situata është e ngjashme edhe në aeroporte të tjera, në Reggio Calabria është vendosur një kuotë maksimale, ndërsa në Pescara funksionon vetëm një cisternë prej 20,000 litrash.
Aeroportet e Linate, Venecia, Treviso dhe Bolonja kanë vendosur kufizime deri në 3,000 litra për avion, sasi që mbulon rreth një orë e gjysmë fluturimi.
Autoritetet e lidhin vështirësitë me trafikun e rënduar të Pashkëve, por në fakt thuhet se bllokimi i Ngushticës së Hormuzit për shkak të konfliktit në Iran mund të sjellë pasoja më të rënda.
Anija e fundit cisternë nga Gjiri Persik pritet të mbërrijë më 9 prill, pas së cilës Evropa do të nisë të konsumojë rezervat strategjike. Nëse bllokada vazhdon, pritet rrallim i fluturimeve, kufizime për aviacionin privat dhe pezullim i rregullave për mbrojtjen e konsumatorit.
Çmimet e biletave mund të rriten me 20-30% gjatë verës, duke e bërë këtë krizë më të rëndë se ajo e shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
