Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me banorë të Zvërnecit, për të folur për resortin luksoz që është planifikuar të ndërtohet atje. Në mesin e të pranishmëve në takim,kishte dhe nga ata që shprehën pa rezerva dakordësinë e tyre për realizimin e investimit.
“Nuk ka asnjë që të thotë që nuk jemi dakord të mos bëhet ky investim. Investimet që pasojnë njëri-tjetrin janë shumë të mira, si aeroporti p.sh., edhe ky lloj biznesi që është shumë i fuqishëm është shumë i mirë. Por u desh një shpjegim juridik, që u bë me bashkinë, njerëzit u sqaruan”,- tha një banor.
“Jo 5 mijë veta, po 500 mijë të dalin në shesh, nuk mjaftojnë, sepse janë 800 e kusur mijë që kanë bërë marrëveshje me mua dhe PS”,- tha Rama.
Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në një studio televizive , ka komentuar me tone të ashpra qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj protestës qytetare dhe deklaratën e tij të prerë se projekti i Zvërnecit nuk do të anulohet, qoftë edhe nëse në shesh zbresin 500 mijë njerëz.
Sipas gazetarit, kryeministri po përdor të njëjtën taktikë sprovuese që ka aplikuar edhe në të kaluarën me lëvizjet e tjera masive popullore, duke u shtirur fillimisht sikur tërhiqet apo dëgjon zërin e qytetarëve.
“Rama është politikan kameleon. Rama është një politikan që nuk e bren ndërgjegjja. Nuk ka as mik, as shok. Ka ngelur vetëm ai. Duke qenë i tillë, ai provoi në fillim sikur i dëgjoi protestuesit. Kjo i eci me studentët kur protestuan vite më parë. Rama merr ngjyrën e situatës, ai do të gjejë pikën më të dobët,” deklaroi Hoxha.
