Anulimi i pjesëmarrjes së Ramës vjen në një ditë kur protestat kundër qeverisë kanë dominuar zhvillimet politike në vend.
Protestat që pushtuan Tiranën dhe disa qytete të tjera të vendit kanë bërë me dhimbje koke Edi Ramën, të cilin madje e kanë detyruar të ndryshojë edhe axhendën politike. Kreu i qeverisë ka anuluar në minutën e fundit pjesëmarrjen në ceremoninë e 35-vjetorit të Partisë Socialiste në Gjirokastër, një aktivitet i konsideruar me rëndësi simbolike për socialistët.
Ndonëse përgatitjet për aktivitetin kishin nisur që në orët e para të mëngjesit. Në ambientet ku ishte planifikuar ceremonia ishin vendosur karriget, ishte përgatitur skena dhe ishte organizuar i gjithë dekori për të pritur kryeministrin në orët e pasdites.
Deri tani nuk ka një sqarim zyrtar nga Kryeministria apo Partia Socialiste lidhur me arsyet e mungesës së Ramës në aktivitet.
Anulimi i pjesëmarrjes së Ramës vjen në një ditë kur protestat kundër qeverisë kanë dominuar zhvillimet politike në vend. Tubime dhe protesta janë zhvilluar në Tiranë, Fier, Shkodër dhe qytete të tjera, ndërsa lëvizja qytetare po merr përmasa kombëtare dhe përtej kufijve.
Ndërkohë, ceremonia e 35-vjetorit të Partisë Socialiste në Gjirokastër u zhvillua nën drejtimin e ministres Mirela Kumbaro, njëherazi drejtuese politike e qarkut, si dhe të sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendje është mungesa e jehonës së zakonshme në rrjetet sociale. Deri në orët e mbrëmjes, as kryeministri Edi Rama, as Mirela Kumbaro dhe as Blendi Klosi nuk kishin publikuar foto, video apo mesazhe nga ceremonia e zhvilluar në Gjirokastër, ndryshe nga aktivitetet e tjera politike që zakonisht promovohen gjerësisht në platformat online.
