Nga protesta e mbrëmjes së sotme u paralajmërua një tjetër tubim për nesër, teksa një prej aktivistëve organizatorë u kërkoi qytetarëve të ruajnë unitetin dhe të mos bien pre e provokimeve.
Gjatë fjalës së tij, ai tha se protestës pritet t’i bashkohen edhe pjesëmarrës të tjerë, duke përmendur edhe UÇK-në, ndërsa shprehu kundërshtimin ndaj politikave të kryeministrit Edi Rama dhe nismës së Ballkanit të Hapur.
“Nesër edhe UÇK-ja do të zbresë në shesh kundër Ramoviçit dhe kundër Ballkanit të Hapur. UÇK, UÇK…”, deklaroi ai para protestuesve.
Më tej, aktivisti kërkoi mirëkuptim nga pjesëmarrësit për organizimin e protestës, duke theksuar se nisma nuk përfaqëson një organizatë të strukturuar dhe se mund të ketë pasur mangësi gjatë menaxhimit të turmës.
“Jeni më të mirët, na mirëkuptoni, nuk është e lehtë të menaxhosh një masë kaq të madhe. Nuk jemi organizatë, kemi edhe gabime, bashkë me ju. Por jemi kundër propagandës që do të na sabotojë e përçajë. Do të vazhdojmë deri në arritje, nesër më shumë”, u shpreh ai.
Në fund të fjalës, ai falënderoi edhe pjesëtarët e diasporës që, sipas tij, kishin marrë pjesë në protestën e së shtunës, duke bërë thirrje për mobilizim më të madh në vijim.
